Rexhep Tayyip Erdogan ka mbërritur të enjten në një vizitë dyditore në Greqi, e para e një presidenti Turk në 65 vitet e fundit. Erdogan, nën masa shumë të rrepta sigurie u prit në një takim nga Presidenti Grek Prokopis Pavlopulos, me të cilin pati edhe një konferencë të tensionuar për shtyp.

Presidenti grek ia bëri të qartë Erdgoanit, se marrëveshja e Lozanës, e nënshkruar pas luftës Greko-Turke në vitin 1923, nuk është një marrëveshje që mund të reformohet. “Nuk besojmë se mund të reformohet, nuk është një marrëveshje e hapur për diskutim”, tha Pavlopulos.

Marrëveshja e Lozanës është marrëveshja që përcaktoi kufijtë e dy vendeve dhe detyrimet ndaj minoriteteve në dy vende. Por, Turqia duket se është e pakënaqur me vijën kufitare dhe respektimin e të drejtave të minoritetit turk në Greqi.

Presidenti Turk reagoi duke theksuar se bota ka ndryshuar shumë në 94 vite dhe se marrëveshjes së Lozanës i kishte kaluar koha, duke qenë se ajo nuk ishte një marrëveshje vetëm mes Turqisë dhe Greqisë, por në të cilën ishin përfshirë edhe 11 shteteve të tjera. “Mendoni që në Marrëveshjen e Lozanës është edhe Japonia, Britania e Madhe dhe Portugalia.”

Erdogan më tej kritikoi Greqinë se nuk po e zbatonte as marrëveshjen ekzistuese në lidhje me të drejtat e minoritetit turk në Trakë.

Aii kujtoi homologut të tij se patriarku i kishës në Turqi nuk zgjidhet nga shteti, e kështu as Athina zyrtare nuk ka të drejtë të zgjedhë myftiun e myslimanëve në Greqi.

Lidhur me debatet për veton greke ndaj futjes së Turqisë në BE, Erdgoan solli në kujtesë se pa mbështetjen e Ankarasë Greqia nuk do të mund të rifutej sërish në NATO pasi ishte larguar nga aleanca ushtarake.

Tre avionë grekë f-16 shoqëruan avionin e presidentit turk, Erdgoan, pasi ai u fut në hapësirën ajrore të Greqisë. Të gjitha rrugët nga kalon autokolona e tij në Athinë janë mbyllur për qytetarët për arsye sigurie.

Gjatë vizitës dyditore, Erdogan pritet të kërkojë edhe një herë ekstradimin e ushtarakëve turq që u arratisën në Greqi menjëherë pas tentativës së dështuar për grusht shteti. Të premten ai do të udhëtojë drejtë Takës, ku do të takojë komunitetin mysliman atje./tvklan.al