I blerë në minutat e fundit të merkatos nga Lazio, Etrit Berisha, portieri i Kombëtares Shqiptare, po vlerësohet si një nga lojtarët më të mirë të Atalantas. “Gazzetta Dello Sport” i ka kushtuar një shkrim të titulluar “Berisha Merr në heshtje çelësat e Bergamos”.

Fitorja e fundit me Interin i takon edhe atij që bëri disa ndërhyrje vendimtare. Berisha, shqiptari i heshtur erdhi tek Atalanta si zgjidhje e largimit të përfolur të Sportiellos, i cili gjithsesi mbeti numri një i formacionit titullar.

Në një moment që Etriti u aktivizua që nga minuta e parë, u bë i paprekshëm. Që nga dita e parë, Berisha ka punuar fort edhe pse dukej se do të ishte portieri i dytë, ashtu siç i kish ndodhur edhe me Lazion.

Në shkrimin e “Gazzetta Dello Sport” thuhet se Berisha nuk pretendoi asgjë, por me punë rrëmbeu çelësat e portës së Atalantas. Ndeshja e parë në Cagliari, ku skuadra humbi, por ai u paraqit mjaft mirë. Hap pas hapi Berisha tregoi se nuk po gabonte, duke u shfaqur vendimtar atëherë kur duhet.

Edhe për meritë të tij Atalanta tashmë konsiderohet një skuadër e vështirë nga ekipet e mëdha të Serie A. Ka marrë 10 pikë në katër ndeshje dhe ka pësuar vetëm dy gola, duke e ruajtur rrjetën të paprekur për 234 minuta deri në golin e Eder. “Gazzetta” thotë se tashmë, Berisha i heshtur ka bërë futbollin italian ta harrojë paraardhësin e tij.

Tv Klan