Shqipëria do të luajë sot në orën 21:00 me Rumaninë në stadiumin e Lionit shpresën e fundit për të qenë ende në Europian.

Kuqezinjtë mund të kualifikohen vetëm si vendi i tretë, por pa fitore ndaj rivalëve ballkanas nuk ka asnjë shans. Kombëtarja zhvilloi dje stërvitjen e fundit para sfidës më të rëndësishme të aktivitetit, ajo me Rumaninë.

Naser Aliji u përgatit veçmas grupit. Mbrojtësi ndjen dhimbje në kofshën e djathtë. Aliji edhe pse është grumbulluar nuk është aktivizuar për asnjë minutë në fazën finale të Euro 2016 dhe me shumë mundësi edhe sot do ta ndjekë nga stoli dhe në fushë do të jetë Ansi Agolli.

Lorik Cana e përfundoi pezullimin, por në fushë mund të jetë edhe Arlind Ajeti. Pikëpyetje edhe për mesfushën, më saktë për qendrën e saj ku përmenden Errys Kaçe, Taulant Xhaka dhe Migjen Basha.

Mungesë e konfirmuar është Burim Kukeli, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve. Në sulm mund të ketë ndryshime, pasi është rasti i fundit për të gjithë.

Trajneri Gianni De Biasi ka qenë gjithmonë i mendimit se do të luajnë lojtarët më në formë, pasi ndeshjet e finaleve zhvillohen brenda pak ditëve.

Tv Klan