Banush Kanani, një pensionist në Fier, ankohet në emisionin “STOP” se prej disa muajsh i mbajnë një pjesë të pensionit të përmuajshëm në mënyrë të padrejtë. Ish-ushtaraku së bashku me gazetaren e emisionit “STOP”, ballafaqohet me punonjësit e ISSH-së, nga ku merr premtimin e zgjidhjes së problemit të tij. I lumtur dhe plot humor, Banushi thotë se në 1 maj, kur do të marrë dhe pjesët e mbajtura të pensionit, “do të bëjë namin”…

“Jam Banush Kanani, nga qyteti i Fierit dhe pensionist nga viti 2001. Kam qenë ushtarak për 36 vjet dhe marr pensionin e ushtrisë, vlera e të cilit është 259.000 lekë (të vjetra). Problemi im fillon nga Janari i vitit 2017, kur vete për të marrë lekët marr 20 mijë lekë (të vjetra) më pak, pra nga 259.000 lekë, marr 239.000 lekë. Kur ndodhi që m’i mbajti në muajin Janar, më tha që do të m’i japë në muajin Shkurt. Më datë 5 Shkurt 2017 u paraqita për të marrë pensionin dhe ndodhi po prapë e njëjta gjë! Më thanë që do t’i hedhin në muajin Mars dhe ika me mendje “të fjetur”. Erdhi muaji Mars, prapë e njëjta diferencë, 20 mijë lekë. U tërbova!”

Banush Kanani tregon se ka takuar drejtoren e ISSH-së, e cila i tha se dokumenti i papunësisë së gruas mungonte në dosjen e tij, por edhe pse kjo nuk ishte e vërtetë pasi ai i kishte dorëzuar të gjitha dokumentat e nevojshme, brenda një ore Banushi shkoi sërish dhe dorëzoi dokumentin që “mungonte”. Mirë që dosja e tij u kompletua dhe pensioni i tij supozohej të merrej i plotë, por pse nuk mori lekët e muajve të kaluar dhe në muajin Prill mori sërish pensionin me 20 mijë lekë më pak?!

“Dua ballafaqim me punonjësit e ISSH-së!”

Banushi dhe gazetarja e emisionit “STOP”  iu drejtuan Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Fier.

“Nga 1 Janari 2017 i janë hequr 2000 lekë. I është hequr 640 lekë sepse ai nuk konsumon 200 kilovat në muaj, ndërsa 1348 lekë që ngelen, ne duhet t’ia kompensojmë. Nga 1 Maji ai do të marrë 25900 lekë në total, plus edhe diferencat kreditore që ka për të marrë që nga 1 Janari.”

Ish-ushtaraku falënderon emisionin “STOP” dhe shprehet se në 1 Maj “do të bëjë namin” me ato lekë./tvklan.al