Depozitat në valutë kanë njohur një nga rritjet më të mëdha historike në Shqipëri. Në fund të muajit janar, shuma e llogarive të mbyllura në bankat shqiptare në monedhën euro dhe dollarë arriti në 531 miliardë lekë, ku 90% e kësaj shifre është e vendosur në euro.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë 2016-ës, por edhe janarit të këtij viti, llogaritë rrjedhëse të individëve të cilët kanë hapur llogari në euro kanë njohur vetëm trend rritës. Prej një viti është përmbysur dhe raporti, ku llogaritë në monedhë të huaj janë më të mëdha se në monedhën kombëtare.

Në bazë të llogaritjeve, rezulton se vetëm gjatë një viti janë 38 miliardë lekë depozita të reja në euro, ndërsa llogaritë në lekë kanë rënë me 5 miliard vetëm për periudhën dhjetor – janar. Nëse krahasohet me një vit më parë, depozitat në lekë janë tkurrur me 10 miliardë.

Banka e Shqipërisë ka nisur marrjen e një plani masash për të zbutur efektet e përdorimit të monedhës së përbashkët europiane në ekonominë shqiptare, pasi dëmton shtresat vunerabël dhe e bën të pafuqishme politikën monetare të saj. Këtë shqetësim së fundi e ka shprehur edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Tv Klan