Fondi Monetar Ndërkombëtar del sërish me një qëndrim zyrtar për porositë drejtuar qeverisë shqiptare, lidhur me rregullimin fiskal në vend.

Pas misionit dy javor në Shqipëri, FMN i qëndron kërkesës që qeveria duhet të fokusohet tek mbledhja e të ardhurave dhe heqja dorë nga përjashtimi i taksave në vend, apo shkurtimi i shpenzimeve.

Në qëndrimin e stafit të FMN thuhet se, qeveria duhet të pezullojë heqjen e taksave, si në rastin e heqjes së taksës për biznesin e vogël, apo trajtimet preferenciale të taksave.

Këtë domosdoshmëri, për të mos i hequr taksat, FMN e argumenton me faktin se niveli i shpezimeve publike në vend është i ulët. Fondi sugjeron investime më të mëdha në infrastrukturë dhe arsim dhe një zgjerim të bazës tatimore.

Veç porosive që u theksuan edhe në konferencën përmbyllëse në Shqipëri, në qëndrimin e fundit, FMN sheh me rrezik krijimin e borxheve të reja të prapambetura.

Në këtë pikë, Fondi flet me shqetësim për disa detyrime të prapambetura të njësive vendore, të llogaritura deri në vitin 2015, që përbëjnë afro 0.6 për qind të PBB – s.

Tv Klan