Në 2018-ën do të marrin fund njëherë e mirë të gjitha detyrimet që kompanitë e sigurimit kanë ndaj të dëmtuarve. Bëhet fjalë për vendime që Fondi i Kompensimit duhet t’i kishte paguar që në vitin 2002, por që ende dhe sot nuk ka shpërndarë afro 10 milion euro ndaj palëve të prekura. Deklaratën e ka bërë drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi.

“Kjo gjë nuk duhet të përsëritet më, që ne të vazhdojmë detyrime të prapambetura 15 vjeçare pa shlyer te qytetarët. Qytetarët, të marrin në kohën e duhur atë çka meritojnë dhe dalin nga kontratat që janë në fuqi”.

Kompanitë e sigurimit japin kuota vjetore për dëmet që shkaktohen nga aksidentet, por që nuk ka se kush i paguan. Ky fond menaxhohet nga Byroja e Kompensimit, por deri më sot pjesa më e madhe e detyrimeve nuk është paguar.  Kreu i AMF-së deklaroi se është duke u punuar për të ribërë edhe njëherë ligjin e sigurimit të detyrueshëm, sipas sistemit

bonus – malus

.

“Konsumatori i ndershëm dhe i rregullt do të ketë kosto më të ulët për pagesën e primit të sigurimit, ndryshe nga të tjerët që krijojnë aksidente, bëjnë aksidente dhe do të mbajnë përgjegjësi duke paguar një prim më të lartë”.

Sistemi

bonus – malus

i jep fund luhatjes së çmimeve të siguracioneve dhe vendos meritokraci në çmimin e tyre, duke bërë të paguajë më shumë atë që ka numër më të lartë aksidentesh, e duke e ulur për ata që kanë numër të ulët. Ligji që ka shkuar që në vitin 2016-të në Ministrinë e Financave do të rishikohet për të përshtatur më shumë me karakteristikat e tregut shqiptar.

Tv Klan