Tre shqiptarë, të cilët planifikonin të mbushnin rrugët e Lodrës me drogë të klasit A, janë dënuar në total me 17 vjet burg.

Algert Lami, 23 vjeç, Roland Vasija, 20 vjeç dhe 22 – vjeçari Orjon Uku u kapën kur policia bastisi strofullën e tyre në Stratford, në lindje të Londrës dhe gjetën pako të mëdha kokaine, si edhe tufa me para.

Në fillim të këtij viti, oficerët e policisë paralajmëruan se bandat e tregtarëve shqiptarë të drogës, tashmë janë një kërcënim i vertetë në rrugët e Britanisë.

Treshja u kap kur detektivë nga Agjencia Kombëtare e Krimit dhe oficerët e Policisë Metropolitane panë Ukun të dilte nga një taksi në Stratford dhe iu afruan një BMW-je që ishte e parkuar. Ai kaloi 20 minuta duke biseduar me shoferin përpara se të nisej në këmbë.

Pesë minuta më vonë ata panë Vasija-n të ecte drejt së njëjtës makinë, ku edhe vuri një çantë në bagazh dhe hyri në vendin e pasagjerit para se të largoheshin.

Kur policia ndaloi BMW-në dhe bëri kontroll, gjeti 178,000 paund në një qese.

Vasija dhe shoferi, Lami, u arrestuan.

Uku u arrestua pasi u kthye në të njëjtin vend dhe u përpoq të largohej kur pa që oficerët po e ndiqnin.

Oficerët bënë kontroll në një pronë që kishte lidhje me Ukun ku edhe zbuluan tre pako me pluhur të bardhë të mbështjellë me një cipë, së bashku me mjete të tjera që lidheshin me tregtimin e drogës, si peshore dhe doreza latex.

Rreth gjysmë kilogramë e kokainës u gjet e fshehur në kutinë e makinës BMW, së bashku me disa dokumente të dyshuara si të falsifikuara, të cilat oficerët e policisë besojnë se përdoreshin nga Lami.

Një numër telefonash celularë, artikuj droge dhe dokumente identiteti të rreme u gjetën në shtëpinë e Lamit.

Ky i fundit u deklarua fajtor për komplot për të bërë furnizime me drogë të klasit A, posedim të dokumenteve të rreme dhe për mashtrim.

Ai dhe Vasija u deklaruan fajtorë për komplot për të pastruar para të një vlere prej 178 mijë paund.

Lami mori një dënim prej 9 vitesh burgim, ndërsa Vasija 2 vjet.

Uku u deklarua fajtor për posedim me qëllim të furnizimit me drogë të klasit A dhe B. Atij iu dha një dënim prej 6 vitesh në Gjykatën Kingston Crown./tvklan.al

Roland Vasija, 20 vjeç

Algert Lami, 23 vjeç

Orjon Uku , 22 vjeç