“FH”: Përkeqësim në 25 vende me demokraci të konsoliduar

Përplasjet politike ndikuan në përkeqësimin e demokracisë në vendin tonë. Këtë arsye jep Noah Buyon, koordinator i kërkimeve për Evropën dhe Euroazinë për raportin “Liria në Botë” të publikuar këtë mërkurë, ku Shqipëria renditet si vend pjesërisht i lirë me 67 pikë nga 100, duke humbur 1 pikë nga viti i kaluar.

“Kjo i atribuohet në pjesën më të madhe përplasjeve të fuqishme politike që ndodhën gjatë vitit në vend”, i tha ‘Zërit të Amerikës’ Noah Buyon, koordinator i kërkimeve për Evropën dhe Euroazinë për raportin.

Edhe Ballkani Perëndimor paraqet një tablo të përzier. “Kosova dhe Maqedonia e Veriut patën përmirësime vitin e kaluar. Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia, shënuan rënie, Bosnja mbeti në të njëjtin vend”, shtonn Buyon.

Për Kosovën përmirësimi me 2 pikë është kryesisht falë procesit të zgjedhjeve të Tetorit.

Kosova mbajti zgjedhje të besueshme dhe të administruara relativisht mirë, por institucionet e saj mbeten të dobëta dhe korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar një mosbesim të thellë të publikut në qeveri. Gazetarët përballen me presion serioz dhe rrezikojnë të sulmohen në lidhje me raportimin e tyre. Sundimi i ligjit pengohet nga ndërhyrjet e ekzekutivit në gjyqësor”, thuhet në raport.

Edhe Maqedonia e Veriut shënoi rritje prej 4 pikësh falë zgjedhjeve presidenciale, përmirësimit të gjendjes së medias dhe të situatës së sigurisë. Në rang global edhe në vendet me demokraci të konsoliduar, 25 vende patën përkeqësim.

Vetëm 43% e 195 vendeve të marra në analizë janë konsideruar të lira, 32% pjesërisht të lira dhe 25% jo të lira.  Vendet më të lira në botë me maksimumin e pikëve janë Finlanda, Norvegjia dhe Suedia ndërsa në vend të fundit është Siria.

Tv Klan