Prej më tepër se dhjetë ditësh Njësia e Antiterrorit të Policisë së Shtetit, e mbështetur edhe nga informacionet e Shërbimit Informativ, kanë mbajtur nën vëzhgim persona shqiptarë të njohur për tendenca ekstremiste dhe radikale.

Kjo për shkak të informacioneve të herë pas hershme të agjencive inteligjente të vendeve partnere për mundësinë e sulmeve terroriste të ngjashme me ato në Barcelonë, Londër, Gjermani, apo vende të tjera të Bashkimit Europian. Antiterrori kanë mbajtur nën vëzhgim kryesisht lëvizjet në zonat turistike të vendit, duke qenë se ato janë mjaft të populluara në këtë kohë, ku nuk mungojnë edhe të huajt.

Po kështu janë verifikuar elementë nga Kosova, apo Maqedonia, që janë futur në Shqipëri gjatë sezonit turistik.  Një fakt i tillë është konfirmuar për televizionin Klan, nga burime të Policisë së Shtetit, që kërkuan të ruajnë anonimatin. Sipas të njëjtave burime, oficerët e Njësive të Antiterrorit, po ashtu kanë marrë në pyetje, persona të dyshuar për tendenca radikale apo ekstremiste, që veprojnë në disa xhami të vendit. Në sitën e shërbimeve të inteligjencës janë vënë persona të kthyer nga Siria apo Iraku që kanë luftuar aty.

Tv Klan