Frika nga dënimet për shkak të shkeljes së Fair Play Financiar kanë stepur klubet e Premier League. Skuadrat që militojnë në elitën e futbollit anglez kanë rënë dakord në parim për të kufizuar shpenzimet sezonale, duke bërë kështu një hap pas drejt shmangies së shifrave stratosferike për transferime dhe pagat e futbollistëve.

Vetëm tre klube, kampionët aktualë Manchester City, Manchester United dhe Aston Villa votuan kundër këtij plani, ndërsa Chelsea abstenoi për të mos dhënë një ide rreth kësaj çështjeje.

Planet mund të avancojnë në mbledhjen e përgjithshme vjetore të ligës në Qershor që mund të çojë në futjen e kufirit të shpenzimeve. Një opsion i përhapur është kufizimi i shpenzimeve të lidhura me transferimet dhe pagat në pesëfishin e asaj të klubit me të ardhurat më të ulëta. Aktualisht, maksimumi që një klub mund të shpenzojë është rreth 600 milionë Euro.

Klubet kishin mbështetur më parë përafrimin me rregullat e reja të UEFA-s që do t’i shohin klubet që marrin pjesë që garat evropiane të lejohen të shpenzojnë vetëm 70% të të ardhurave për shifrat e transferimeve, pagat e lojtarëve dhe tarifat e agjentëve.

Për të shtuar konkurrencën, kufiri i shpenzimeve brenda një sezoni pritet se do të vendoset në 85% për klubet që nuk luajnë në kompeticionet e UEFA-s.

Klan News