Derisa Evropa përgatitet për kampionatin evropian të futbollit, “Euro 2016”, në disa raporte shqetësuese është theksuar frika se Shteti Islamik (IS) ose ndonjë grup tjetër radikal militant, mund të përpiqet ta shkatërrojë në mënyrë të dhunshme këtë garë ose zhvillimet e tjera madhore këtë verë.

Burime të paemëruara të sigurisë të cituara nga mediat britanike, kanë thënë se të dhënat e gjetura lidhur me të vetmin të dyshuar të gjallë për sulmet vdekjeprurëse në Paris, në Nëntor të vitit 2015, sugjerojnë se një celulë e Shtetit Islamik po synon të ndërmarrë sulme kundër simpatizuesve rusë dhe anglezë të futbollit.

Disa nga raportet më trishtuese pretendojnë se dosjet nga laptopi i të dyshuarit Salah Abdeslam përmendin një sulm kimik me përdorimin e fluturakeve të lejueshme komerciale pa ekuipazh, të njohura si drone.

A janë këto plane të realizueshme?

Eksperti britanik për armatim kimik, Hamish de Bretton-Gordon, tha se derisa një sulm i tillë është i mundshëm, do të ishte shumë vështirë të realizohej, raporton Radio Evropa e Lirë.

Është e njohur se grupi ekstremist, Shteti Islamik, ka përdorur klor si armatim kundër luftëtarëve kurdë peshmerga në Irak, tha eksperti Bretton-Gordon, dhe shtoi se një sulm efektiv me klor kërkon një sasi të këtij elementi që është larg kapacitetit që mund të arrihet me fluturake komerciale pa ekuipazh.

“Por, sasia e klorit, që ata do të mund ta ngarkonin në dron, sinqerisht, do të jetë shumë e parëndësishme dhe nuk supozoj që ndokush madje do të mendojë për të. Megjithatë, konsideroj se ky është kërcënim që ne duhet ta kemi parasysh, por nuk ka nevojë që ne të jemi të shqetësuar për këtë

”, thotë Bretton-Gordon.

Ngarkesa e fluturakes që shitet në tregjet komerciale, pra ngarkesa që ajo mund ta bartë, aktualisht është shumë e kufizuar. Shumica e dronëve, që mund të ngrihen dhe të fluturojnë me katër rotorë, mund të lëvizin përreth me një kamerë brenda në të, për 25 minuta. Ka edhe lloje që mund të bartin deri në 8 kilogramë për periudha më të shkurtra.

“Megjithatë, dronët komercialë në dispozicion, e kanë ngarkesën e vogël dhe një lloj i materies kimike helmuese që duhet ta keni për të pasur një ndikim të rëndësishëm, ju nevojitet të ketë armatim kimik të përshkruar, siç është agjenti nervor sarin ose VX. Tash kjo nuk është e mundshme dhe ne jemi të sigurt se Shteti islamik nuk i ka ato”,

 tha Bretton-Gordon./tvklan.al