Një gazetare amerikane në Zimbabve është burgosur pasi dyshohet se është përpjekur për të rrëzuar qeverinë e vendit duke fyer presidentin Robert Mugabe në Twitter.

Martha O’Donovan, 25 vjeç, u arrestua mëngjesin e së premtes në shtëpinë e saj, pranë kryeqytetit Harare, nën akuzën e fyerjes të figurës së presidentit dhe tentativa për të rrëzuar qeverinë e vendit.

Policia lokale tha se më 11 tetor O’Donovan ka shkruar në Twitter se Mugabe, 93 vjeç, është “njeri egoist dhe i sëmurë”.  

Të shtunën, O’Donovan u mbajt në paraburgim pas një seance të shkurtër gjyqësore dhe ajo tani duhet të presë deri më 15 nëntor për t’u kthyer në gjykatë. Avokatët e saj thonë se ata do të apelojnë që ajo të lirohet me kusht në Gjykatën e Lartë të hënën. Ajo rrezikon të marrë një dënim deri në 20 vjet burgim./tvklan.al