Eduard Selami ka zyrtarizuar sot kandidaturën e tij për kryetar të Partisë Demokratike. Në një dalje për mediat, Selami u shpreh se ka ardhur koha për një reformim dhe një rinovim të Partisë Demokratike, për ta ngritur atë aty ku janë vlerat më të mira të demokracisë.

“Është për të ardhur keq që forca e parë politike, ku unë kam patur kënaqësinë të jem një nga themeluesit e saj, koha e ka lënë mbrapa dhe këto zgjedhje pikërisht këtë treguan”,

tha Selami, i cili theksoi se ka ardhur koha që kjo të ndryshojë dhe PD e demokratët të ecin me hapin e kohës.

“Unë jam shumë i sigurt që kjo do të vijë dhe ky do të jetë edhe kontributi im në këto zgjedhje për kryetar të Partisë Demokratike”.

Për Selamin, kryesorja është një analizë e thellë brenda familjes politike.

“Ajo çka është me rëndësi është që të shohim më parë gjërat që na bashkojnë sesa nga ato që na ndajnë. Garat politike brenda partive politike nuk janë të lehta, edhe në demokraci shumë më të formuara se Shqipëria. Por unë jam i sigurt që kemi eksperiencën dhe unë do të jap kontributin tim që kjo të jetë një garë model, që jo vetëm ta nxjerrë PD me një lidership më të fortë, më pranë demokratëve, por t’i ngjalli shpresën shqiptarëve, të jetë një forcë politike që të ngrejë Shqipërinë aty ku ne synojnë të gjithë, në një nga historitë më të mëdha të suksesit tonë të Shekullit të XXI”

./tvklan.al

Selami iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve

Z. Selami, ju keni qënë një nga kritikët e z Basha. A mendoni se përgjegjësia e humbjes i takon vetëm z Basha?

“Jo, është e padrejtë dhe unë asnjëherë nuk e kam thënë dhe nuk është kështu. Por kuptohet ashtu siç merr pjesën më të madhe të kredive kur fiton, do të marrësh dhe pjesën më te madhe dhe kur … Kjo është natyrë e politikës. Patjetër që kjo humbje nuk është vetëm e Z. Basha. Do të jetë e padrejtë që të bëhet kështu dhe asnjëherë nuk e kam parë kështu, por unë mendoj që ka qënë ajo që unë e kam thënë dhe para dy vjetesh, ne qofte se e mbani mend, mungesa e shpreses, mungesë e besimit e cila na solli këtu ishte një kritikë miqësore brënda shtëpise, nuk u morëm vesh drejtpërdrejtë, fatkeqësisht nuk u dëgjuam, tani është bërë publike. Përsëri unë këtë nuk e mbaj  personalisht kundër Bashes, thjesht është një mundësi që ti japim një oportunitet demokratëve të zgjedhin lidershipin më të mirë dhe unë kam besim që me eksperiencën time të vjetër, me eksperiencën time në perëndim, jam gati ta ofroj një lidership bashkëkohor që të kthehet në shpresë për demokratët dhe për Shqipërinë”.

Z. Selami, ju gjatë kësaj kohe a keni bërë fushatë dhe nëse po, ku keni punuar në fushatën e Partisë Demokratike?

“Po kam bërë. Unë kam qënë në Njësinë nr 2, në degën nr 2 të Partisë Demokratike. Aty kam qënë pavarësisht se kam qënë i zgjedhur deputet në Elbasan. Do kemi kohë ti zgjidhim këto hollësira. Jam caktuar më përpara në zonën 2 për shkak të një vendimi të marrë nga kryesia e Partisë Demokratike. Aty kam bërë fushatë bashkë me demokratët. Unë jam në kontakt përditë me ta dhe shpreh shqetësimet e tyre se si ta përmirësojmë. Këto janë shqetësimet tona të përbashkëta, shqetësime që na sjellin këtu dhe unë jam shumë i bindur që ne do ti kalojmë këto dhe PD do të dalë shumë më e fortë. Do të jetë një opozitë shumë e fortë për një maxhorancë e cila ka numra që janë lehtësisht abuzivë. Ne kemi parë një nga qeverisjet më të këqia në këto 4 vite. Fatkeqësisht ne nuk arritëm të bëhemi shpresë, dhe shqiptarëve edhe njëherë iu desh të zgjedhin të keqen më të vogël. Unë dua që ky trend në Shqipëri të ndërrojë. Të mos zgjidhet e keqja më e vogël por të zgjidhet e mira më e madhe. Dhe kjo fillon me ne. Kur ne të gjejmë lidershipin e duhur siç kemi qënë, unë mendoj se shqiptarët do të na afrohen, demokratët do të na ofrohen, Shqipëria do të ecë shumë herë më përpara dhe më mirë”.

Z. Selami, a keni një koment mbi listën e nënshkruesve që kërkojnë dorëheqjen e z. Basha por edhe që mendojnë se ngrirja e funksionit të kryetarit nuk është sipas statutit të partisë për fushatën e brendshme?

“Gjithkush ka të drejtën e tij ta shprehë. Këto nuk janë kohë të lehta për ne. Janë edhe emocionet. Unë nuk dua të vë në dyshim dëshirën dhe rrugën që duhet për Partinë Demokratike. Askujt nuk ia vë në dyshim. Pavarësisht se çfarë veprimi merr. Unë kam zgjedhur këtë rrugë sepse mendoj se është rruga më institucionale dhe nuk kam qënë atje sepse duke qënë ketu e quaj të pa nevojshme. A do të ishte një garë ku z Basha të jepte dorëheqjen e plotë dhe kjo të ishte më e barabartë?! Unë po të isha në vend të z Basha këtë do të bëja sepse unë mendoj që nëse duhet një garë e drejtë dhe nëse do të duhej një garë e pastër dhe e pakontestuar, mendoj që çdokush dhe të gjithë duhet të jemi në një fushtë të barabartë. Kjo është zgjedhja e tij. Unë nuk dua ta paragjykoj. T’ia lëmë kohës ta shikojmë. Kjo është një garë brenda familjes dhe ta shikojmë me kujdes. Është një grup pune i mbledhur. Unë do të jem bashkëpunues, me kandidatët e tjerë, me z Basha, me grupin e punës që ne të dalim sa më të fortë nga kjo. Unë nuk jam këtu me qëllim për të penguar njëri tjetrin. Unë jam këtu me qëllim se si të ndihmojmë njëri tjetrin dhe demokratët të vendosin kush është më i miri. Edhe unë mendon se këtë vizion e kam. Ju faleminderit dhe suksese”.