Sezoni i Gironas ka qenë historik, por mund të ketë një fund të hidhur. Skuadra spanjolle rrezikon pjesëmarrjen në kompeticionet europiane për sezonin 2024/2025 dhe madje edhe rënien nga kategoria.

Shkaku i problemit është sulmuesi Artem Dovbyk, i cili u ble në verë.

Golashënuesi më i mirë i Gironas është edhe blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit. Ai u ble nga Dnipro për shumën e 8 mln Eurove, por transferimi i tij është vënë nën lupë me ekipin që është afër sigurimit të një vendi në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm.

Avokati Evgenij Kuzmin ka paraqitur një ankesë në UEFA dhe ka kërkuar që të hetohet për shkelje, tha ai për faqen e internetit Sportarena.

Problemi lidhet me një skemë për të shmangur taksat në Ukrainë. Agjenti i futbollistit ka regjistruar një entitet juridik me të njëjtin emër të shoqërisë së tij në Estoni, një lëvizje totalisht ilegale dhe që mund të ndëshkohet nga institucioni europian i futbollit.

Sipas avokatit, çështja është aq e rëndë sa Girona dhe Dnipro mund të pësojnë sanksione të rënda që mund të çojë në rënien nga kategoria, përveç penalitetit ekonomik dhe agjenti mund të humbasë licencën e tij.

Klan News