1 ditë pas vrasjes së 46-vjeçarit shqiptar në qytetin Viselhëvedes në Gjermani, policia ka zbuluar detaje të reja rreth hetimeve për gjetjen e autorëve.

Motori me të cilin vrasësit kryen krimin, u gjet i fshehur pas një restoranti, në një qytezë pranë vendngjarjes.

Mediat në gjermani shkruajnë se gjasat për të arritur të vrasësit janë të larta, pasi motori rezultonte në pronësi të një gjermani, i cili në polici deklaroi se e kishte shitur rregullisht. Kësisoj hetuesit shpresojnë që identifikimi i blerësit të mjetit, do t’i çojë të vrasësit.

46-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet publik, u vra të hënën me gjakftohtësi, teksa po merrte të bijën nga shkolla. Vrasësit iu afruan dhe e qëlluan me 5 plumba duke e lënë të vdekur në vend. Sipas autoriteteve gjermane, dyshohet se krimi mund të jetë kryer nga shqiptarë, për hakmarrje. Viktima më herët kishte punuar si truprojë në një diskotekë në Shqipëri, ku në një rast, kishte dhunuar rëndë fizikisht një adoleshent. Për këtë vepër ai ishte dënuar me 1 vit heqje lirie dhe pas daljes nga burgu kishte emigruar bashkë me familjen në Gjermani.

Tv Klan