Italianët mbajnë hapur kualifikimin më tej në Europa League kundër Sportingut

Atalanta lë gjithçka të hapur për vazhdimësinë në turin tjetër të Europa League. Skuadra italiane u ndal në një barazim 1-1 në Portugali ndaj Sportingut të Lisbonës për të ndërlikuar jo pak rrugëtimin drejt raundit çerekfinal.

Ishin vendasit ata të cilët kaluan të parët në avantazh me anë të Paulinjo. Kundërsulm vrasës prej Sportingut, që kapi të papërgatitur prapavijën e Atalantës.

Gjithsesi, bergamaskët arritën që të gjenin forcën për të reaguar dhe shënuar golin e barazimit. Skamaka realizoi pak minuta para se skuadrat t’i drejtoheshin dhomave të zhveshjeve. Italiani shënoi golin e 7-të personal, për të qenë italiani më rezultativ në dy sezonet e fundit në kompeticionet e UEFA-s.

Skamaka u zgjodh edhe lojtari më i mirë i sfidës, teksa për 90 minuta qëndroi në fushë mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti. Kapiteni zhgënjeu pritshmëritë duke qenë ndër lojtarët më të dobët.

Klan News