Gjoba prej 2 mijë lekë të reja të vendosura nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, nuk i tremb shoqëritë e transportit urban. Edhe pse janë ndëshkuar  thuajse çdo ditë, disa autobusë vazhdojnë të lëvizin pa ndezur kondicioner, në kulmin e vapës.

Mungesa e kondicionerit në temperatura mbi 36 gradë, bën që disa urbane, në kundërshtim me çdo rregull të qarkullimit rrugor, të mbajnë xhama e dyer hapur gjatë lëvizjes, duke cënuar rëndë sigurinë.

Ecja me dyer hapur  është një fenomen i përhapur në linjën e Porcelanit. Këtë e tregon edhe kjo video e filmuar nga pasagjeret gjatë udhëtimit.

Edhe pse sot lëvizjet e qytetarëve kanë qenë të paktë dhe autobusët ishin thuajse bosh, sërish pasagjerët ankohen për shërbimin.

Në ditë e javës, udhëtimi me disa prej linjave është i pamundur, për shkak të vapës që krijohet nga mungesa e kondicionerit dhe mbingarkesa e pasagjerëve. /TV KLAN