“Dënimi me burg për shkak të rrezikshmërisë së veprës”

Për Gjykatën e Posaçme të Apelit, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri duhet ta vuajë dënimin në burg dhe jo në një masë më të lehtë për shkak të rrezikshmërisë së veprës penale që ka kryer e lidhur me detyrën e lartë që ka mbajtur.

Në zbardhjen e vendimit prej 277 faqesh të cilin e disponon edhe TV Klan, Tahiri ka konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës, por për shkak se ai ka qenë në krye të Ministrisë së Brendshme kjo është pasuar me cenim të rendit publik.

“…Sa i më i madh pushteti që ka një funksionar publik dhe sfera e kompetencave që ai ushtron, aq më e lartë pritshmëria ndaj tij dhe në anën tjetër rrezikshmëria që ai mbart në raport me abuzimin ndaj detyrës”.

Gjykata thotë se janë provuar kontaktet e Tahirit me anëtarë të familjes Habilaj të cilët kanë lëvizur me makinën e ish-ministrit, apo me jahtin, i cili ishte në përdorim nga ai. Gjykata thotë se nuk provohen akuzat e përfshirjes në grup kriminal. Edhe përgjimet autoriteteve italiane për blerje të dhuratave për ish ministrin nuk dokumentohen.

Zbardhja e vendimit u hap rrugë të dyja palëve për t’iu drejtuar Gjykatës së Lartë. Avokatët e ish-ministrit e kanë paralajmëruar rekursin, teksa SAPK është shprehur më herët për Tv Klan, se këtë vendim do e marrë pas zbardhjes së vendimit të plotë. Pas vendimit të marrë nga gjykata në 4 Shkurt, ish-ministri po qëndron në burgun e Fierit.

Tv Klan