Gjyqësori në veri i gatshëm të gjykojë me ligjet e Kosovës



Pas më gjatë se dy vjetësh, që kur Prishtina dhe Beogradi e kanë nënshkruar në Bruksel, Marrëveshjen për integrimin e gjyqësorit në veri të Kosovës, ajo ka filluar të zbatohet.

Me zbatimin e saj, besohet se po shuhen gjykatat paralele në komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, të cilat kanë funksionuar mbi bazën e ligjeve të Serbisë.

Kryetar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë është emëruar Nikola Kabashiq. Më 27 tetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë, të cilët, sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca ishin zotuar se do të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Prokuroria Themelore ndodhet në Mitrovicën veriore, në “Lagjen e Boshnjakëve”. Kryeprokurori, Shyqyri Syla thotë se aty ka kushte dhe hapësirë të mjaftueshme për punë.

Unë mendoj që me kthimin tonë, integrimin e gjyqtarëve, gjendja do të jetë më e mirë sa i përket luftimit të kriminalitetit në veri të Kosovës dhe se shumë shpejt do t’i shihni rezultatet në këtë drejtim”, thotë Syla.

Si problem Syla e veçon mungesën e përkthyesve, pasi që lëndët kryesisht janë në gjuhën shqipe, kurse nevojitet edhe përkthimi në gjuhët tjera, sidomos në atë serbe.

Në këtë gjykatë punojnë 18 gjyqtarë, prej tyre janë 10 serbë dhe 8 shqiptarë.

Ndërkohë, kryesuesi i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, Milan Bigoviq, thotë se pas dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve te Presidenti i Kosovës më 27 tetor, pas tri ditësh ka nisur opracionalizimi i punës.

“Sa di unë, edhe pse nuk kam shumë njohur, pasi që kjo është hyrje në një sistem tjetër numri i lëndëve është i madh dhe se me vite nuk është punuar në lëndët civile”, thekson Bigoviq.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë në Kosovë, thonë se gjyqtarët dhe prokurorët nga radhët e komuniteti serbë në pjesën veriore të vendit, kanë nisur punën dhe po punojnë me ligjet e Kosovës. Aktualisht, sipas tyre, nuk janë paraqitur probleme dhe se punët, vlerësohet se po ecën mirë.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha për Radion Evropa e Lirë se gjyqtarët janë në zyrat e tyre dhe kanë ndarë lëndët me të cilat do të merren. Megjithatë, Idrizi thekson se stafi i ri ka nevojë për trajnime.

“Është normale dhe merr pak kohë derisa të akomodohen, por deri tash gjithçka është duke shkuar në rregull. Ata do të mbajnë një trajnim në Akademinë e Drejtësisë, pra gjyqtarët e komunitetit joshumicë. Pastaj, do të nisin të punojnë. Nevojitet një trajnim për t’u njoftuar me ligjet dhe procedurat. Tani qëllimi është të vendosen në zyra dhe tash i kanë edhe lëndët“, tha Idrizi. Sipas tij, Akademia e ka programin e trajnimeve në bazë të marrëveshjes së Brukselit.

Edhe në Këshillin Prokurorial, thonë se integrimi i prokurorëve po ndodh normalisht dhe nuk ka ndonjë problem apo vështirësi.

Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se prokurorët normalisht janë duke punuar.

Ata kanë nevojë ndoshta të njoftohen pak më tepër me sistemin tonë të drejtësisë, me ligjet tona. Megjithatë, nuk kam asnjë informatë për ndonjë ngecje në punë apo për diçka që nuk shkon siç nuk duhet”, tha Isufaj.

Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga veriu i Kosovës, ka ngritur dyshime dhe reagime për atë sesi dhe në çfarë forme kanë dhënë betimin ata./REL

Kategori
KosovaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*