Ndryshe nga një vit më parë, ky sezon i ri artistik në Teatrin e Operas dhe Baletit nis me një premierë. Do të jetë një opera, e cila i ka munguar skenës shqiptare prej gjysmë shekulli.

Drejtorja artistike në TKOB, Abigela Voshtina thotë:

“Kemi filluar punë pak më shpejt se normalisht. Ishte e domosdoshme sepse jemi duke përgatitur një premierë, emrin e të cilës nuk do ta themi.”

Provat kanë nisur për një nga operat më të njohura në gjuhën franceze. Edhe pse drejtuesit janë përpjekur mos ta zbulojnë atë, Televizioni Klan mësoi se bëhet fjalë për “Peshkatarët e Perlave”.

“Do të kemi premierë edhe në balet, do të kemi premierë edhe në opera,”

shtoi Voshtina.

Për herë të parë kompozimi i Georges Bizet, me regji të Luigj Gurakuqit dhe dirigjim të Mustafa Krantjës, “Peshkatari i Perlave” u vendos në skenën shqiptare në vitin 1964. Premierat nuk do të jenë ekskluzivitet vetëm i operas.

Skenës së operas dhe baletit nuk do ti mungojnë artistët e huaj sikundër edhe shqiptarët e suksesshëm jashtë. Në kalendarin e artistik të tenorit Saimir Pirgu për vitin 2018 nuk mungon Shqipëria. Një nga zërat më të njohur të muzikës ndërkombëtare operistike do të jetë në Tiranë në fillim të vitit.

Edhe ky sezon do të funksionojë me të njëjtën filozofi. Shfaqje të operas dhe baletit do të ngjiten në skenat e qyteteve të tjera apo do të mbahen koncerte në qiell të hapur.

Tv Klan