Jonada Avdiu, 7-vjeçarja që humbi jetën ditën e djeshme tragjikisht pasi u godit nga një skaf që drejtohej nga ish-polici Arjan Tase do të përcillet sot në orën 15:30 për në banesën e fundit. Pas ngjarjes së rëndë, familja Avdia ka hapur dyert e mortit. Gazetarja Glidona Daci ka raportuar për Klan News afër banesës së familjes Avdia.

Glidona Daci: 7-vjeçarja Jonada Avdia u godit me skaf nga ish-polici Arjan Tase ditën e djeshme. Që në orët e para të mëngjesit kur ne kemi mbërritur në zonën e tyre ka pasur me dhjetra familjarë që kanë ardhur në familje. Pak më herët ka mbërritur edhe makina e varrimit, ndërkohë që kemi parë pafund lëvizje njerëzish. Ata kanë bërë gjithçka gati ndërkohë që pjesa tjetër e familjarëve janë ngjitur në banesë aty ku ndodhet trupi i pajetë i 7-vjeçares e cila do të përcillet për në banesën e fundit në orën 15:00.

Ngjarja që ndodhi ditën e djeshme ka tronditur opinionin publik. 7-vjeçarja që ndërroi jetë ndodhej në breg të detit së bashku me familjarët e saj kur u përplas nga skafi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, ka shkarkuar të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë si pasojë e kësaj ngjarje./tvklan.al