Katër persona sulmuan me armë mëngjesin e së enjtes banesën e familjes Selimi në fshatin Dobraç të Shkodrës duke marrë një shumë prej rreth 5 mijë Eurosh, ndërsa personat që ndodheshin në banesë kanë mbetur të terrorizuar nga grabitësit.

Kjo është e grabitja e katërt me armë brenda këtij viti në zonën e Dobraçit të ri në Shkodër. Edhe në rastet e tjera, grabitjet kanë ndodhur rreth orës 7 të mëngjësit. Nga hetimet e para të policisë mësohet se autorët kanë vëzhguar lëvizjet e familjes së Anton Selimit.

Në momentin kur dy djemtë e familjes u larguan për në punë, grabitësit hynë në oborrin e shtëpisë me një automjet tip Alfa Romeo.

Autorët dyshohet se ishin katër persona. Njëri qëndroi në makinë, ndërsa tre të tjerët të maskuar e të armatosur hynë në shtëpi dhe me qytën e automatikut goditën pas koke bashkëshorten e Anton Selimit.

Më pas ata terrorizuan familjen duke kërkuar paratë. Pak momente para se të mbërrinin dejmtë në banesë, grabitësit arritën të largoheshin duke humbur gjurmët në trafik. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, duke shoqëruar disa persona ndërsa ka marrë deklarimet e pjestarëve të familjes. Ende nuk ka një të dyshuar rreth kësaj ngjarje, ndërsa policia e Shkodrës ka ngritur disa pika kontrolli për të kapur autorët.

Tv Klan