“Artizane E Lumës” ishte kjo kënga që ju kushtua para viteve ‘90 grave dhe vajzave duararta të qarkut të Kukësit, të cilat endin me mjeshtëri sixhadet dhe qilimat shumëngjyrësh. Një nga këto është edhe Flutura Mata, e cila me shumë dashuri dhe profesionalizëm e ushtron ende sot këtë zanat të trashëguar nga nëna e saj qysh prej moshës 12-vjeçare .

“Kur u ula për herë të parë thashë se s’do e bëja dot pasi është i vështirë. Por s’do e lë këtë profesion deri sa të vdes”.

Pas mbylljes së ndërmarrjes së artizanatit në Kukës, Flutura e mbajti gjallë këtë traditë duke punuar në shtëpinë e saj bashkë me disa gra të tjera.

Ndërsa shohim disa punime te Fluturës, ajo na shpjegon se për endjen e tyre kërkohet një punë e gjatë dhe e kujdesshme, ndërsa çmimi me të cilin dalin në treg është simbolik .

“Duhen 4 muaj që të punohet në sixhade me përmasa 2 me 3, i shesim 2 mijë Euro”.  

Sixhadet me motivet tradicionale ku spikasin ngjyrat e ndezura lulet e bjeshkëve si dhe simbolet kombëtare janë ato që kërkohen më shumë nga klientët e  huaj. Por interes ka edhe endja e portreteve të personazheve të ndryshme

“Ky është portreti Nënë Terezës, ma kanë porositur 30 copë amerikanët”.

Ndonëse është e kënaqur që interesi për punimet e dorës është kthyer, Flutura shprehet se promovimi është ende shumë i vakët. Për këtë ajo kërkon mbështetjën e qeverisë në mënyrë që ky biznes të zgjerohet dhe të mos mbesë vetëm në kushtet e shtëpisë.

Para se prodhimet e leshta të Fluturës të blihen nga klientët, vulën e cilësisë e vendos nëna e saj.

 Punimet e artizanati shqiptar gjatë regjimit komunist tregtoheshin edhe jashtë vendit. Por pas viteve ‘90, edhe kjo industri pësoi goditje, pasi u mbyllën shumë punishte mes tyre edhe ajo e Kukësit. Por një grup artizanësh të apasionuar nga Kukësi, Korça dhe Kruja ruajtën me fanatizëm traditën e punës së dorës. Një projekt i fundit ka bërë identifikimin e një pjese të mirë të artizanëve dhe do të shpërndajë informacion në pikat e kalimit kufitar pikërisht për të njohur të huajt me këto produkte.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetare: Joniada Koçi