Pas shumë replikash e deklaratash të ndërsjellta, Tirana zyrtare ka bindjen se Greqia do të japë votën pro hapjes së negociatave të vendit tonë. I këtij mendimi është ministri i Jashtëm Bushati, i cili nuk ka lënë pa komentuar dhe reagimin e Athinës pas miratimit të ligjit për pakicat kombëtare.

Tirana zyrtare nuk mendon se Greqia do të bllokojë Shqipërinë në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Europian. Pas miratimit të ligjit për pakicat kombëtare, i cili solli reagime të forta të Athinës, Shqipëria preferon të përmbushë kriteret e Brukselit në vend të replikave me Athinën.

“Nuk kam asnjë arsye, as mendoj për asnjë çast e as s’besoj që një shtet, qoftë ky edhe fqinji ynë Greqia, do të ishte e interesuar për të vendosur veton ndaj Shqipërisë. Nuk është as në interesin e Greqisë dhe as në interesin e Shqipërisë që të kemi të tilla ngjarje. Politika e megafonit ditën e dielë, duhet t’ia lërë vendin ditës së punës për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona”.

Por Bushati i dha përgjigje deklaratave të presidenti grek.

“Shqipëria dhe shqiptarët në rajon kanë qenë një spirancë stabiliteti demokratik për Ballkanin Perëndimor, për Europën Juglindore. Amatorizmi kam frikë se duhet kërkuar nëpër kryeqytete dhe vende të tjera, por asesi në Shqipëri”.

Shefi i diplomacisë shqiptare saktësoi më tej se për pakicat, Shqipëria është e hapur që të diskutojë edhe njëherë çdo lloj modeli apo eksperience, përfshirë këtu edhe atë të Greqisë.

“Në rast se një shtet kërkon të diskutojë me ne një model që e aplikon, që mund të jetë përtej konventës së kuadrit të Këshillit të Evropës, ne do të ishim të lumtur të uleshim në tryezë, të hulumtonim këtë praktikë të lartë që vet ky shtet mund ta aplikojë në mënyrë që ta ndjekim si model”.

Pak ditë më parë, parlamenti miratoi ligjin për pakicat kombëtare me 102 vota pro, 10 abstenim dhe 1 kundër nga Vangjel Dule.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetare: Joniada Koçi