Hysni Gucati ka thënë se njëri nga hetuesit e Dhomave të Specializuara, të cilët kishin shkuar në zyrën e OVL-UÇK-së për të marrë dosjet që rrodhën nga kjo gjykatë, kishte pirë raki në orarin e tij të punës.

“Zotëria më ka thënë që edhe një muaj ditë mund t’i mbani dokumentacionet, Policia e Kosovës nuk vjen. Kemi pi kafe në zyrën time, madje po ta them edhe një sekret: njëri prej tyre ka pi edhe raki në orar të punës. Ka pi raki në zyrën time”.

Këtë Gucati e zbuloi derisa po përgjigjen në pyetjet e prokurores së pranishme, se cili ka qenë komunikimi i zyrtarëve të OVL-UÇK-së me hetuesit, njofton Klankosova.tv.

”Ka ardhur hetuesi juaj që flet gjuhën shqipe shumë mirë. Unë kam pranuar me shumë mirësi për me i fotografuar dosjet, e erdhi në zyrën time e më tha që ‘’këto dokumentacione janë tonat’’. Ne edhe një muaj mund të rrimë këtu, dhe Policia e Kosovës nuk vjen me qenë dëshmitar. Ne jemi këshilluar me Tomë Gashin, dhe atëherë kemi vendos me i dorëzuar. Kjo është e gjitha, ky është realiteti”.

Tutje ai ka përsëritur qëndrimin e tij se ai nuk është në dijeni se kush arriti t’i nxjerr nga Specialja dosjet që përfunduan në zyrën e OVL-UÇK-së, njofton Klankosova.tv.

“Letra, ta kisha ditur që ka qenë me kaq shumë peshë, nuk e kisha hedhur, por e kisha sjellë këtu”./tvklan.al