Beteja Android-iOS vjen deri në studion e “Aldo Morning Show” në Tv Klan. Gjatë parashikimit të motit, gazetaret Albana Çaushaj dhe Megi Latifi, njëra përdoruese e Android dhe tjetra e iOS, kanë parashikime krejt të ndryshme për motin e ditës së mërkurë. Sipas Megit, parashikohet që deri në orën 13:00 të ketë herë pas here shi. Ndërsa celulari i Albanës parashikon mot të thatë përgjatë ditës së sotme.

Megi Latifi: Dita e mërkurë do të jetë nën ndikimin e masave të paqëndrueshme dhe hera-herës shiu mund të marrë dhe formën e shtrëngatave, si ditën e djeshme. Edhe dje pushonte shiu, fillonte prapë, me shtrëngata, pastaj dilte pak dielli.

Albana Çaushaj: Na kënaqi. Ndërkohë temperaturat parashikohen të jenë në zonat malore 12-18 gradë Celsius, në zonat e ulëta 14-27 gradë Celsius dhe në zonat bregdetare 15-26 gradë ëCelsius.

Aldo: Pra, është më mirë se dje apo më keq? Ky është moti nga?

Megi Latifi: Është njësoj, kam përshtypjen që është më mirë se dje, pak më ngrohtë. Shërbimi Metereologjik Ushtarak, të gjitha faqet e kishin njësoj, ne thjesht e pamë diku.

Aldo: Po celulari si e ka?

Megi Latifi: Celulari mua më tregon që deri në orën 11:00, shanset për  të rënë shi janë 80%.

Aldo: Çfarë thua?

Megi Latifi: Në orën 8:00 fillon shiu deri në orën 12:00. Në orën 13:00, temperatura 22 gradë, do të ketë reshje shumë pak, në orën 14:00-19:00 nuk ka shi. Në orën 18:20 më tregon që ka një perëndim dielli shumë të bukur.

Aldo: Si e thotë?

Megi Latifi: E tregon këtu që është perëndimi i diellit dhe gjithë mbrëmjen është pastaj me shi.

Aldo: Urime për emisionin!

Albana Çaushaj: Në fakt, këtë tregon telefoni i Megit se telefoni im tregon tjetër gjë.

Aldo: Çfarë thotë?

Albana Çaushaj: Për shembull, shi sot sipas telefonit tim, do të ketë vetëm nesër në mëngjes, në orën 05:00-06:00. Ndërkohë do të ketë vranësira dhe kthjellime gjatë ditës së sotme, ndërsa temperaturat janë ato që sapo lexuam.

Aldo: E paske telefonin më human. Domethënë kjo është diferenca mes Shërbimit Metereologjik Ushtarak Android dhe iOS. Hajde gjeje motin!/tvklan.al