Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako ka kërkuar që të merren masa për përballimin e situatave emergjente që mund të krijohen nga moti i keq.

Kreu i Emergjencave ka udhëzuar prefektët e qarqeve që të komunikojnë me subjektet kontraktore që këto të venë në dispozicion të gjitha kapacitetet e tyre njerëzore dhe teknike dhe sasitë e mjaftueshme të kripës dhe të skorieve etj., për të ndërhyrë në pastrimin e rrugëve nga dëbora, eleminimin e ngricave në rrugë, pastrimin e rrugëve nga inertet dhe gurët që mund të bien në rrugë.

Gjithashtu, prefektët e qarqeve kërkohet të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë së Shtetit, ARRSH, OSHEE, për të pasur një menaxhim dhe qarkullim normal të automjeteve në akset rrugore, veçanërisht të atyre që kryejnë transportin e nxënësve dhe mësuesve për në shkolla dhe anasjelltas, si dhe të punohet për eleminimin në kohë të defekteve në furnizimin me energji elektrike të komunitetit, objekteve social-kulturore, spitaleve, hidrovorëve, etj., për të përballuar sa më mirë situatën që mund të krijohet nga reshjet, ngricat, etj.

/tvklan.al