Grupi militant islamik Hamas është i gatshëm të bie dakord për një armëpushim prej pesë vjetësh ose më shumë me Izraelin nëse themelohet shteti i pavarur i Palestinës në kufijtë e vitit 1967.

Zyrtari i Hamasit Khalil al-Hayya në një intervistë u shpreh se ideja se grupi militant do të çarmatosej do të ishte një vendim shumë i rëndësishëm, teksa bisedimet gjatë muajve të fundit për një armëpushim vijojnë pa një rezultat ku secila palë akuzon tjetrën për mospërputhje kushtesh.

“Të gjitha përvojat e grupeve që luftuan kundër pushtuesit, kur u bënë të pavarur dhe fituan të drejtat e tyre dhe vendin e tyre, çfarë bënë këto forca? Ata u bënë parti politike dhe forcat e tyre mbrojtëse luftarake u bënë ushtria kombëtare. Nëse ata nuk mund ta shkatërrojnë Hamasin, cila është zgjidhja? Zgjidhja është të shkojmë në konsensus.”

Mediat shkruajnë se nuk ka gjasa që Izraeli ta konsiderojë një skenar të tillë pasi është zotuar të shtypë Hamasin pas sulmeve vdekjeprurëse të 7 Tetorit. Khalil u shpreh gjithashtu se Hamasi do të pranonte “një shtet plotësisht sovran palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës dhe kthimin e refugjatëve palestinezë në përputhje me rezolutat ndërkombëtare”, përgjatë kufijve të Izraelit të para vitit 1967.

Ndërkaq në enklavën e bombarduar, përpjekja për të gjetur trupat e varrosur në spitalin Nasser të Khan Younis vazhdon ndërsa kërkesat për “përgjigje” nga udhëheqësit izraelitë jehojnë pas rrethimit të objektit të kujdesit shëndetësor.

Nga 392 trupa të gjetur në varrezat masive në Khan Younis vetëm 65 janë identifikuar dhe pjesa tjetër e trupave mbeten të paidentifikuar për shkak të dekompozimit. Nga ana tjetër një sulm izraelit në Rafah, vrau pesë njerëz dhe plagosi disa të tjerë.

Klan News