Janë hapur aplikimet për Akademinë Politike të Partisë Socialiste. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook-un e tij.

Sipas Ramës, kjo është një eksperiencë që do i angazhojë të rinjtë disa orë në javë, për të mësuar më shumë mbi këtë forcë politike.

“Një eksperiencë e re për të rinjtë e të rejat që duan të angazhojnë disa orë në javë nga koha e lirë, për të mësuar më shumë mbi historinë, idetë, zhvillimet e lëvizjeve e partive progresiste dhe sigurisht Partinë Socialiste të Shqipërisë, përmes komunikimit me protagonistë të saj, figura të spikatura të së majtës europiane me histori në qeverisjen e vendeve të BE-së, aktivistë në partitë e Internacionales Socialiste apo Partinë e Socialistëve Europianë, pedagogë të teorisë politike në universitete shqiptare e të huaja, si edhe opinionistë e gazetarë të njohur në mediat ndërkombëtar. Bashkëlidhur linku i sapoçelur i Akademisë Politike në Instagram dhe linku i aplikimit për hyrjen në këtë hapësirë të re të kulturës politike, për të reja e të rinj të interesuar për të pasuruar dijet mbi politikën dhe zhvilluar aftësitë për të bërë së bashku, përmes politikës, ndryshime që nuk bëhen dot vetëm”, shkruan kryesocialisti.

/tvklan.al