Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur dy tendera për Lotin 1 dhe 2 për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës, me një vlerë prej 32.4 milionë eurosh dhe brenda vitit pritet të nisë zgjerimi i saj. Parashikohet që zgjerimi i loteve të jetë nga mbikalimi i Kamzës deri në zonën e Qafë-Kasharit.

Kompanitë do të kenë afat deri më 8 maj të këtij viti për të dorëzuar ofertat e tyre, ndërsa pas lidhjes së kontratës do të kenë në dispozicion 24 muaj për të përfunduar, zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës.
Pas zgjerimit ajo do të ketë gjerësi rreth 35 metra nga mbi 18 m që është aktualisht, kjo pasi do të shtohen nga dy korsi në secilën anë dhe shpejtësia e lejuar do të jetë deri në 140 km në orë.

Kostoja totale e zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës sipas ARRSH-së do të jetë 170 milionë euro.
Ndërsa për Lotin e 3, nga Sukthi deri në Durrës, pranë Urës së Dajlanit, ende nuk ka një tender të hapur për këtë nyje.

Paralelisht me tenderat e mësipërm, është hapur edhe gara për rehabilitimin e rrugës së vjetër, Kombinat-Ndroq-Plepa, me një fond limit 7.3 milionë euro, dhe pas shpalljes së fituesit, projekti duhet të përfundojë për 2 vite. Gjithashtu ARRSH ka shpallur edhe tenderat per 4 seksione te Elbasan-Qafë-Thanë dhe zgjerimin e rrugës së Ksamilit.

Klan News