Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje që, sipas tij, çdoherë kanë fyer dhe sharë çdo projekt energjetik në Kosovë.

Në një reagim të tij përmes facebook, Haradinaj madje e paraqet Albin Kurtin si mashtrues, njofton Klankosova.tv.

”Sa e pafytyrë pafajësia energjetike e Albin Kurtit!

Si me pas ardhë prej Marsit këtë vit dhe me gjetë këtë gjendje të rëndë energjetike. Qe 11 vjet Lëvizja Vetëvendosje është parti parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe qe 17 vjet në mënyrë aktive funksionon si organizatë politike.

Gjatë gjithë ekzistencës politike të Kurtit dhe të organizatës së tij, kurrë nuk kanë ndaluar të fyejnë, shajnë e demonizojnë çdo projekt energjetik që ka ekzistuar në Kosovë.

Këta e demonizuan Kosovën C, që në vitin 2008 do të duhej të fillonte të ndërtohej, e që Kosovës do t’i siguronte 2200 megavatë energji.

Këta e demonizuan dhe e bënë të qartë se nuk e përkrahin as Kosovën e Re, që vitin e ardhshëm do t’i jepte Kosovës 500 megavatë energji.

Në cilësinë e mashtruesit shitet si i vetmi person që ka qenë kundër shitjes së distribucionit, e harron se shumica e partive politike kanë qenë po ashtu kundër.

Distribucioni i Kosovës u shit nga partia më e madhe e kohës, e asistuar nga njerëz që sot gjejnë strehë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe na shesin moral për interesat nacionale.

Kosova është vendi i vetëm në botë që ka resurse energjetike por ka dhe krizë energjetike.

Qasja e Albin Kurtit si protagonist global i mjerë, në tendencë në luftën kundër korporatave dhe globalizimit, e ka vulën e vet në krizën energjetike të Kosovës. Kanë qenë korporatat ato që do ta shndërronin Kosovën në fuqi energjetike por fatkeqësisht këto nuk janë në përputhje me ideologjinë e Kurtit”./klankosova