Duke lënë pak mënjanë postin e ministres së Kulturës dhe duke u kthyer pas në kohë, Elva Margariti rrëfen të panjohura rreth saj. “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan përfitoi nga një vizitë në qytetin muze të Beratit për një bashkëbisedim të këndshëm në skutat e fëmijërisë. Familja, zgjedhja e arkitekturës apo karakteri i gjallë dhe energjik, i cili sot duket i veshur nga kostumi zyrtar, por i ruajtur ende aty.

Orinda Huta: Vajzë e vetme?

Elva Margariti: Jo, unë kam një vëlla më të madh. Jemi totalisht ndryshe në pamje, në karakter, në mënyrën si i çojmë përpara dëshirat. Unë jam më e vendosur, mund të dukem ndonjëherë si më e ftohtë kur marr vendimet, por kompletohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Jam rritur te gjyshja me dy dajat e mi. Kam pasur dy daja të cilët dedikoheshin totalisht një grupi të tre fëmijëve dhe ka qenë një fëmijëri shumë e bukur me ta. Ndërtonim gjëra vetë, me bukë peshku, ata janë njëri arkitekt, tjetri inxhinier mekanik. Na vendosnin të vizatonim  përpara objektve të ndryshme.

Orinda Huta: Duket se arkitektura ka qenë një vazhdimësi?

Elva Margariti: Po, në familje gjyshi, mamaja, daja im janë arkitektë, por realisht nga të gjithë fëmijët vetëm unë e kam zgjedhur vërtet arkitekturën.

Orinda Huta: Loja  e preferuar kur ke qenë e vogël?

Elva Margariti: Gjithçka që kishte të bënte me sportive dhe pak rrezik, hedhjet nga lartësitë, por çdo gjë që lidhej edhe me meshkujt, të luaje futboll, më pëlqente shumë edhe pjesa fizike. Kam qenë gjithmonë shumë e shpejtë në vrap dhe fitoja çmime. Më pëlqente kjo pjesa e mos të qenit vajza delikate. Nuk e di, ishte një mozaik i vërtetë sepse ndërkohë kisha edhe qëndisjen me gjyshen time nga ana e mamit. Po, ajo më ka mësuar, por që e vogël fare./tvklan.al