Prokuroria për Krime të Rënda ka admnistruar nga Gjykata e Durrësit vendimet gjyqësore të dhëna që nga viti 2003 për ish – hotel “Vollgën”. Pjesë e këtij hetimi do të jenë të gjithë gjyqtarët dhe palët që kanë pjesë në këto procese.

Viti 2003 përkon me vendimin e parë gjyqësor për hotelin e njohur, ku Zanmir Hasa nëpërmjet një prokure, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar në Selanik, ka fituar pronësinë nga trashëgimtarja Alije Fortuzi.

Ky vendim është lënë në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit, duke sjellë një lumë procesesh gjyqësore nga kompania arabe “Saudi Brothers” të njëjtën pronë e bleu nga shteti për 800 mijë dollarë dhe që përfaqësohej në Shqipëri nga Ylvi Beqja.

Duke parë problemet që po haste në regjistrimin e pronës, Ylvi Beqja, me ndërmjetësimin e një avokati, është takuar me Emiljano Shullazin. Ai i ka kërkuar ndihmë për pronën kundrejt një kontrate shpërblimi. Ky ka qenë edhe momenti, sipas dëshmisë së Beqjas, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë, që Emiljano Shullazi dhe banda e tij, i kanë vendosur gjoba në shifrën e 550 mijë eurove.

Përveç parave, ai i ka kërkuar edhe 30 % të sipërfaqes së ish – hotel “Vollgës”, të cilën ia ka marrë nën kërcënimin e armës.

Krahas gjyqtarëve, po verifikohen veprimet e disa avokatëve, që kanë përfaqësuar çështjen në këto procese gjyqësore.

Hetuesit kanë dyshime se edhe disa punonjës të admnistratës së Gjykatës së Durrësit dhe Hipotekës së këtij qyteti kanë ndihmuar Zanmir Hasën.

Pritet që në ditët në vazhdim, për këto vendime, gjyqtarët, avokatët e punonjësit e administratës të merren në pyetje si dëshmitarë.

Tv Klan