dritan hilaPër herë të parë një anëtar i qeverisë pranon se avionë që mund të bëjnë trafik të lëndëve narkotike mund të ulen edhe në pistën e bazës ushtarake të Gjadrit. Zëvëndësministri i Mbrojtes Dritan Hila e pohoi këtë mbrëmë gjatë emisionit “Opinion”.

Dritan Hila: “Sa i perket avionëve cezna mund të ulen edhe në terrene të vështira dhe me guriçka, por për një trafik të përhershëm ata janë të rrezikshëm. Po qe se flitet për një trafik serioz, flitet për mjete që përdoren për mjete fluturimesh të gjata dhe jo me mjete që e bëjnë 1 herë, transportojnë 2 cigare hashash, por s’janë për një trafik serioz.”

Me këtë deklaratë zëvendësministri i Mbrojtes përgënjeshtroi veten, teksa pak orë më parë, nga baza e Gjadrit përjashtoi mundësinë e uljes së avionëve.

Dritan Hila: “Pista është e mbushur me mbeturina dhe prej kohësh e papërdorur dhe ato shkaktojnë çarjen e gomave të çdo avioni. Sado i vogël që të jetë është e pamundur të ulet dhe po u ul është e pamundur të çohet se do i çahen gomat.”

Deklarata e mbrëmshme në Opinion i drejtuesit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes pohoi deri diku akuzat e opozitës për përdorim të mundshëm të infrastrukturës ushtarake në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.