Një indian, i cili ka garuar në plot 238 zgjedhje dhe ka humbur në secilën prej tyre, pritet që të nisë fushatën e tij të 239-të këtë vit…

I njohur në Indi si “mbreti i zgjedhjeve”, 65-vjeçari K Padmarajan ka garuar në zgjedhje për një gamë të gjerë zyrash, nga këshilli lokal e deri te presidenca indiane dhe i ka humbur të gjitha, duke u bërë pjesë e librit të rekordeve në vend, Limca, si një prej kandidatëve më të pasuksesshëm të Indisë.

I palëkundur nga humbjet në të shkuarën, ai po përgatitet sërish për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme 6-javore që nisin më 19 Prill. India do të zgjedhë kryeministrin dhe të gjitha sondazhet parashikojnë fitore për një mandat të tretë për Narendra Modi.

Kandidatura e Padmarajan për një ulëse në parlament në shtetin jugor të Tamil Nadu ka bërë që ai të pushtojë faqet e para të mediave vendase.

Pavarësisht se nuk e ka shijuar kurrë fitoren, Padmarajan është tejet i njohur në vendin e tij, për mustaqet e tij të trasha. Ai thotë se kurajo e vërtetë është të marrësh pjesë.

“Të gjithë kandidatët kërkojnë fitoren në zgjedhje. Jo unë”, tha ai për agjencinë franceze të lajmeve, AFP.

Për të, fitorja është të marrë pjesë dhe kur humbja e pashmangshme vjen, ai “humbet i lumtur”.

Përgjatë viteve ka marrë pjesë në beteja elektorale përballë disa figurave të rëndësishme në Indi, përfshirë kryeministrat Narendra Modi, Atal Bihari Vajpayee dhe Manmohan Singh, ashtu sikurse përballë kreut të partisë më të madhe opozitare, Rahul Gandhi.

Përtej ambicieve të tij politike, 65-vjeçari bën një jetë modeste. Ai ka një këpucari dhe ofron gjithashtu kura mjekësore popullore. Ai punon po ashtu si redaktor për mediat lokale.

Megjithatë kur vjen puna tek betejat për t’u bërë ligjvënës, Padmarajan thotë se ka paguar një çmim domethënës. Ai ka humbur me miliona për shkak të depozitave që kandidatët duhet të derdhin për të qenë pjesë e një gare në Indi. Nëse kandidatët nuk arrijnë që të sigurojnë mbi 16 përqind të votave në zgjedhje, ata e humbin depozitën e parave. Sipas asaj që shkruan The Independent, 65-vjeçari ka humbur deri më tani plot 97,200 paund.

Rezultatin më të mirë e arriti në 2011-n, kur mori 6,273 vota, teksa garonte në vendlindjen e tij Mettur./tvklan.al