Gjatë presidencës së BE-së, Hungaria do të fokusohet në zgjerimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në një konferencë për shtyp me kolegun çek Jan Lipavski, ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijártó tha se ky rajon nuk e meritonte të priste 14 vjet e 11 muaj për anëtarësim, gjë që ka minuar besueshmërinë e politikës së Bashkimit Evropian.

“Ballkani Perëndimor nuk e meriton që të presë 14 vjet e 11 muaj për anëtarësimin në BE, gjë që minon besueshmërinë e politikën e përbashkët evropiane. Është një situatë që duhet zgjidhur. Presidenca hungareze do të ketë një axhendë të qartë dhe me hapa konkrete për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit.”

Szijártó vuri në dukje se efektet e migracionit janë ndjerë drejtpërdrejt në Evropën Qendrore që nga viti 2015 dhe është i nevojshëm një bashkëpunim serioz rajonal për të ndalur fluksin e emigrantëve.

“Policia çeke, sllovake dhe polake na kanë ndihmuar dhe po na ndihmojnë për të mbajtur jashtë kufijve jugorë të Hungarisë migrantët e paligjshëm që kërcënojnë Evropën e Bashkuar. Duhen vlerësuar përpjekjet e përbashkëta  dhe në vijimësi të katër kryeministrave të Evropës Qendrore. Këto përpjekje janë të nevojshme për të mbajtur nën kontroll çështjen e kuotave dhe për të mos lejuar që dhjetëra mijëra emigrantë të paligjshëm të bredhin nëpër shtetet tona të pakontrolluar.”

Kryediplomati Lipavský tha se Republika Çeke vlerësoi faktin që një nga prioritetet e Presidencës hungareze ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Klan News