Një bashkëpunim ballkanas për të pritur kampionatin Europian të vitit 2027 për përfaqësueset deri në 21-vjeç. Kjo është ideja e Federatës Shqiptare të Futbollit që është bërë kandidat për të organizuar kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit kontinental për këtë grupmoshë.

Pas organizimit të suksesshëm të finales së parë të Conference League në vitin 2022 dhe fitimit të së drejtës për të organizuar finalet e Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17, FSHF kërkon që të jetë kështu pjesë e një tjetër eventi madhor të futbollit europian.

Shqipëria është një nga kandidatet kryesore për të organizuar ndeshjet finale të Kampionatit Europian 2027 për ekipet kombëtare U-21. FSHF i ka dërguar kërkesën UEFA-s, që Shqipëria të jetë një nga vendet pritëse të finaleve të këtij kompeticioni.

Duke qenë se nuk plotësohen kushtet sa i përket numrit të stadiumeve që kërkohen në mënyrë  që vendi ynë të presë të gjitha ndeshjet finale të Kampionatit Europian U-21, FSHF do të bashkëpunojë me Federatën Serbe të Futbollit për të pritur së bashku fazën finale të EURO 2027 për grupmoshën U-21.

Ky është pa asnjë dyshim një projekt shumë ambicioz, që do ta vendoste Shqipërinë në qendër të vëmendjes futbollistike të gjithë kontinentit.

Klan News