Nis puna për rikualifikimin urban e një tjetër blloku banesash në kryeqytet. Bashkia e Tiranës po zbaton projektin e rikualifikimit urban të lagjes përgjatë rrugës “Vëllezërit Manastirliu”, i cili parashikon ndërhyrjen në një sipërfaqe prej rreth 3.5 ha, ku përfshihen punime edhe në 8 segmente rrugore.

Nisja e punimeve u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se, edhe në këtë lagje, investimi i bashkisë synon të sjellë standarde të barabarta jetese si në çdo zonë tjetër të kryeqytetit, ku është ndërhyrë deri më tani.

Ai falenderoi banorët që janë treguar të gatshëm të ngushtojnë oborret e tyre, për të krijuar hapësirat e nevojshme publike. Ky bashkëpunim, sipas Veliajt, ka bërë të mundur që tashmë, edhe fëmijët, të kenë më shumë mundësi të luajnë në hapësira kushtuar atyre.

Kryebashkiaku garantoi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të punojë me moton e saj: “Një punë konkrete çdo ditë”.

Rikualifikimi urban i bllokut në rrugën “Vëllezërit Manastirliu” parashikon ndërhyrjen në 8 akse rrugore. Në të gjitha këto segmente do të punohet për shtrimin e rrjetit të plotë të kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza, asfaltimin, ndërtimin e trotuareve, por edhe vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si edhe ndriçimin.

Në fillimet dhe fundet e çdo segmenti, si dhe në vendet e kalimit të këmbësorëve në rrugë, trotuari do të ndërtohet i ulur, për të bërë të mundur, lëvizjen lirshëm për njerëzit me aftësi të kufizuar, karrocave të fëmijëve etj.

Brenda blloqeve të banimit do të krijohen tre sheshe si ambiente çlodhëse, të cilat do të jenë të plotësuara me gjelbërim, stola, kosha dhe lodra për fëmijët./tvklan.al