Inter fitoi titullin kampion të Italisë për herë të 20 në historinë e klubit, një sukses i arritur në derbin me Milan që përfundoi me rezultatin 2 – 1.

Në këtë arritje kontribut dha edhe shqiptari Kristjan Asllani, i cili e shijoi këtë trofe edhe si tifoz i zikaltërve që në vegjëli.

“Nuk e kemi thënë, por është e vërtetë që ta fitosh titullin në derbi vlen më shumë. E rëndësishme është që e dëshironim këtë titull dhe të shohim përpara. Shumë emocione si tifoz interist dhe në sezonin e dytë me këtë fanelë, nuk mund të kërkoja më mirë”.

Trajneri Simone Inzaghi iu gëzua më në fund edhe titullit kampion, pas sukseseve të tjerë me Inter.

“Një përfundim shumë i bukur, emocione të shumta që dua t’i ndaj me të gjithë familjen Inter. 6 trofe dhe një finale Champions është diçka e paimagjinueshme”.

Ndeshja u vendos falë golave të Acerbi dhe Thuram, ndërsa Milan realizoi vetëm 1 herë me Tomori, pak për të shtyrë festën e Inter.

17 pikë diferencë kur kanë mbetur edhe 5 javë për t’u luajtur janë të mjaftueshme për zikaltërit. Festa nga stadiumi “San Siro” u transferua në rrugët e Milanos, veçanërisht në Piazza Duomo ku ishin mbledhur rreth 15 mijë tifozët interistë.

Zikaltërit nuk u ndalën nga shiu, duke iu gëzuar Scudetto në pikën simbol të qytetit.

Triumfi i Inter në Serie A u festua edhe në Tiranë. Tifozët zikaltër ishin mbledhur në amfitetarin te Liqeni Artificial për të ndjekur derbin me Milan.

Tv Klan