Turqia i vendos Izraelit, sanksione për luftën në Rripin e Gazës. Ministria turke e Tregtisë urdhëroi këtë të Premte, ndalimin e të gjitha aktiviteteve tregtare me Izraelin, për shkak të thellimit të tragjedisë humanitare në Gaza, siç e cilësojnë zyrtarët e kësaj ministrie në një deklaratë për shtyp.

Në qendër të kritikave të Ankarasë është bllokimi i herëpashershëm i ndihmave humanitare për popullsinë civile të Rripit të Gazës nga ushtria izraelite që kontrollon kufijtë e territorit palestinez.

Ankaraja po ashtu akuzon Tel Avivin për qasje brutale në sulmin që po zhvillon në Rripin e Gazës, ku nuk tregohet asnjë kujdes për të shmangur vuajtjet dhe viktimat në radhët e civilëve.

Përmes një reagimi në rrjetin X, ministri i Jashtëm izraelit Israel Katz e quajti presidentin turk Rexhep Taip Erdogan “diktator” që punon kundër interesave të popullit të tij. Ministria turke e Tregtisë tha se sanksionet do të jenë në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje të përhershme armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit.

Vitin e kaluar, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve arritën në 7 miliardë Dollarë.

Tv Klan