Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ka folur edhe për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.

Rama theksoi se porti i vjetër tregtar i Durrësit duhej të ishte hequr që më parë, ku e ka cilësuar si një burim “shëmtie”. Kreu i shtetit theksoi edhe rëndësinë strategjike të këtij porti.

Kryeministri Edi Rama: Porti do të jetë fitimprurës për shtetin dhe shqiptarët. Porti tregtar i Durrësit nuk është spostuar nga aty ku ishte për t’i thjeshtë hapur rrugë një mundësie për një investim për ta kthyer atë port në një nga marinat më të bukura, por është spostuar sepse ai port është një turp i pashembullt në mes të Europës. Ai port që është një burim ‘shëmtie’ që shkarkon e ngarkon qymyr, çimento mu në zemër të qyetit i përket kohës së një bote që nuk është fare bota ime dhe bota jonë, por që maksimumi është bota e këtyre shkatërruesve. E para që të kuptohet mirë ai port duhej hequr një orë e më parë nga ai vend edhe sikur mos të vinte ai që erdhi për të investuar kur të krijoheshin mundësitë që ne të financonim një port tjetër. Ai duhej hequr që aty.

Blendi Fevziu: Me çfarë parash do bëhet dhe sa kushton?

Kryeministri Edi Rama: E dyta porti i ri tregtar i Porto Romanos është një investim i një rëndësie strategjike të jashtëzakonshme për Shqipërinë sepse do të krijojë mundësinë e përpunimi të volumeve shumfish më të larta se të volumeve që mund të përpunohen në atë ‘zgëqen’ në mes të Durrësit, e dyta do të ketë komponentë ushtarake si një bazë e NATO-s, e para bazë ushtarake e NATO-s e ndërtuar në Europë për këtë qëllim, në këtë kohë.

Blendi Fevziu: Kush do ta financojë NATO apo ne?

Kryeministri Edi Rama: Tek financimi i portit i cili është një port mos të harrojmë që lidhet me dy porte të tjera të thata, një në Prishtinë dhe një në RMV që e vendos Shqipërinë në një pozitë strategjike jashtëzakonisht të fortë sepse duke pasur parasysh financimet që ne kemi filluar për hekurudhën e ‘Korridorit 8’, duke pasur parasysh lidhjen direkte mes Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe më pas Turqisë ne krijojmë një akses shumë më të shpejtë në raport me atë që ndodh sot.

Blendi Fevziu: Sa kushton sepse problem është se do t’i shtrish këmbët sa ke jorganin.

Kryeministri Edi Rama: Ne në Shqipëri na është dashur që në krye të herës që të mos i linim qytetet të bëheshin si kazerma me një konvikt ku të gjithë donin të iknin me vrap. Po të flas që kjo është një çështje vizioni dhe si i ndërton hapat. Kjo është koha tani që ne ta ndërtojmë portin sepse kemi mundësitë financiare.

Blendi Fevziu: Ku i gjeni, me buxhetin e shtetit?

Kryeministri Edi Rama: Tek ndërtimi i portit kemi pasur dy opsione: një që ta nxirrnim në tender dhe të thonim kush do vijë i huaj që ta investojë dhe operojë dhe shteti nuk do të ishte pronar i portit, thjesht do merrte të ardhura nga taksat dhe opsioni ta investojmë vetë, të jemi ne pronarë pra shteti që do të thotë që njerëzit ta kuptojnë që ne nuk mendojmë për xhepin tonë sepse po të mendonim për xhepin tonë jua jepnim të huajve. Jo./tvklan.al