TOTOZANI

Denis Minga, ish –Këshilltari i Avokatit të Popullit, e ka akuzuar atë publikisht për korrupsion. Në një letër dërguar ish –kolegëve të tij, pak ditë pas largimit nga detyra, më 26 qershor, Minga flet për një skemë gjigande korrrupsioni ku është i përfshirë Avokati i Popullit Igli Totozani dhe bashkëshortja e tij.

Ish –Këshilltari, shkruan se në Mars të vitit 2012 Avokati i Popullit do të nënshkruante marrëveshjen e parë me shoqatën e bashkëshortës së tij.

“Marrëveshja që mban datën 02/03/2012 është firmosur mes Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës, njësi kjo e varur drejtpërdrejtë nga Avokati i Popullit, në këtë rast z.Igli Totozani dhe drejtueses ekzekutive të Institutit Europian të Tiranës znj. Marta Onorato që është bashkëshortja e tij. Marrëveshja në fjalë ishte e financuar nga Bashkimi Europian dhe instituti i Shoqërisë së Hapur.”

Kjo nuk është marrëveshja e vetme që Totozani ka nënshkruar me bashkëshorten, thotë ish – Këshilltari i tij.

“Kësaj radhe marrëveshja është nënshkruar në 1 prill të 2013 dhe parashikonte ndërrmarrjen e vizitave të përbashkëta monitoruese në të gjitha ambjentet e policisë së shtetit ku mbahen personat e arrestuar ndaluar apo shoqëruar. Sërish a thua se në gjithë Republikën e Shqipërisë shoqata e gruas së Avokatit rezulton më e specializuara për monitorimet e të gjitha komisariateve të vendit”

Sipas Mingës, këto marrëveshje janë dëshmi e përdorimit të Institucionit të Avokatit të Popullit për qëllime përfitimi.

 “Përdorimi ekstrem i institucionit për qëllime personale nuk mbaron këtu. Duke humbur si zakonisht besimin tek ekspertët e institucionit, Avokati i Popullit do të vendoste në krye të Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës në periudha të ndryshme dy zonja të cilat më parë kishin punuar si eksperte në shoqatën e gruas së tij.

Ish –Këshilltari thotë se Avokati i Popullit, me veprimet e tij e ka cënuar rëndë moralin dhe integritetin e tij duke humbur besimin në ushtrimin e kësaj detyre.

Tv Klan