Ky filmim tregon momentin kur një raketë izraelite godet territorin iranian. E vetmja raketë e hedhur nga izraelitët në hakmarrjen e tyre për sulmin iranian me 300 dronë dhe raketa në fundjavë, ra në një bazë ajrore në Isfahan. Hapësirën ajrore iraniane e shkelën edhe disa dronë të lëshuar nga Izraeli, të cilët u shkatërruan nga mbrojtja ajrore vendase.

Mediat shtetërore iraniane minimizuan lajmet për një sulm duke transmetuar një video për të dëshmuar se në vendin ku ra raketa, nuk ka asnjë dëm dhe se gjithçka është e sigurtë. Në Isfahan ndodhet edhe një impiant i madh bërthamor jo-ushtarak, që nuk u prek nga sulmet.

Ashtu siç e paralajmëruan edhe zyrtarët amerikanë, hakmarrja izraelite ishte e kufizuar dhe në përmasa shumë herë më të vogla se ajo e Iranit më 14 prill ndaj territorit izraelit. Teherani njoftoi se për momentin nuk ka asnjë plan për hakmarrje të shpejtë. Sulmi çoi në pezullimin dhe devijimin e qindra fluturimeve të avionëve civilë mbi zonat perëndimore të Iranit.

Shtetet e Bashkuara thanë se nuk e mbështetën kundërpërgjigjen izraelite, ndërsa Bashkimi Europian, Kina e Japonia reaguan menjëherë duke u bërë thirrje palëve të shmangin përshkallëzimin e konfliktit.

Tv Klan