Emisioni “Opinion” u fokusua sërish në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit. Kjo fushatë do të përcaktojë se cila do të jetë forca politike që do të drejtojë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme.

Këtë javë në emisionin “Opinion” keni ndjekur debate dhe përplasje të forta mes përfaqësuesish të forcave kryesore politike, ndërsa mbrëmjen e sotme u fokusua te një prej kandidateve për deputete, Rajmonda Bulku, e cila rrëfeu detaje nga fëmijëria, shkollimi, aktrimi dhe familja.

Aktorja e njohur është shkëputur nga karriera e saj 30-vjeçare në teatër dhe kinema për t’iu dedikuar politikës. Gjatë intervistës me gazetarin Blendi Fevziu, Bulku u shpreh: “Jemi detyruar të flasim shumë sepse jemi ftuar për të folur për fushën tonë. Njerëzit janë kuriozë të dinë për një artist, por tani është një përgjegjësi tjetër. Është shumë e vështirë, pasi pjesa e artit është shumë e lehtë për t’u treguar, por në momentin që prezantohesh ndryshe, si unë tani, është përgjegjësi tjetër. Nuk është më dëshira për të ditur mbi një artist, por është kurioziteti për të ditur se çfarë jam unë aty ku do të shkoj. Nuk është më një sallë teatri, që blihet një biletë dhe unë luaj një rol që e ka shkruajtur dikush, por këtu është kush jam unë, ccfarë jam unë dhe ccfarë do bëj unë”./tvklan.al