Joe Biden pranon për herë të parë se është i gatshëm të përballet në një debat publik me Donald Trump.

Pohimin e bëri gjatë një interviste për një Podkast, ndërsa deri më sot shefi i Shtëpisë së Bardhë ka patur një qëndrim të paqartë për këtë çështje.

Herën e fundit kur është pyetur për një përballje me rivalin republikan Donald Trump, Biden u shpreh se gjithçka do të varej nga sjellja e ish-presidentit.

Analistët thonë se një debat mes tyre si në 2020-ën do të luante një rol të rëndësishëm në sondazhet për zgjedhjet e 5 Nëntorit.

Sondazhet tregojnë se ditët e fundit Biden ka rifituar pozitat pas një rënieje të ndjeshme përballë Trumpit.

Aktualisht dy rivalët ndodhen në pozita të barabarta me 43% mbështetje. Duket se proceset e shumta gjyqësore kanë ndikuar që mbështetja për kandidatin republikan të luhatet.

Megjithatë, pak ditë më parë Trump tha se ishte i bindur në fitore, madje do të siguronte edhe Nju Jorkun që konsiderohet si bastion i demokratëve.

Tv Klan