Nga 30 Janari, në skenën e Pallatit të Kongrese do të vihet “Carmen”, opera me regji të Gëzim Myshketës dhe që Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit e cilëson si një super prodhim të tijin.

Për realizimin e saj janë angazhuar jo vetëm pjesa më e madhe e operas dhe baletit, por është përforcuar edhe me emra si Tinka Kurti, e cila do të ngjitet në skenë pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, balerina Ambeta Toromani, e rikthyer pas shumë vitesh dhe koreografi i njohur Gheorghe Iancu, që “Carmen” e ka bashkëpunimin e parë me teatrin shqiptar.

Në këtë dalje të parë për mediat, tejet e kujdesshme për të mos dalë mbi protagonistët kryesorë, Ambeta tha se ky është hapi i parë drejt bashkëpunimeve të tjera.

Me pak fjalë dhe duke shmangur elozhet, Gheorghe Iancu, shpjegoi idenë e tij, duke ia lënë fjalën e fundit kritikës për koreografinë e tij.

Kostumin e Carmen do ta veshë Vikena Kamenica. Për mezzo-sopranon, ky është një rikthim i dytë pas 10 vitesh, por tashmë më e pjekur jo vetëm artistikisht por edhe si grua.

Konferenca ku të pranishëm ishin të gjithë interpretuesit u pri nga drejtuesja e institucionit, Zana Çela, me një rezyme të operas dhe baletit nga Marsi në Dhjetorin e 2017-ës. E vetmja shifër që nuk u artikulua ishte fatura financiare e super-prodhimit “Carmen”.

Tv Klan