5 viktima dhe 370 vatra zjarri, kërkohet evakuimi i miliona banorëve

Kalifornia është në situatë emergjente nga zjarret. Mbi 370 zjarre kanë përfshirë pyjet nga veriu në jug të shtetit federal më të populluar të Shteteve të Bashkuara, duke i marrë jetën deri më tani të paktën 5 personave. Autoritetet kanë kërkuar evakuimin e miliona banorëve nga shtëpitë që ndodhen pranë vatrave.

Gjatë 24 orëve të fundit, mbi 10 mijë forca zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e flakëve, por ekipet e emergjencës thonë se efektivët janë të pamjaftueshëm për të vënë nën kontroll situatën. Atyre po u vijnë në ndihmë nga ajri edhe helikopterë.

Situata më alarmante duket në veri të San Francisko ku flakët kanë përpirë mbi 50 mijë hektarë pyje e zona të banuara.

Autoritetet thonë se shkak i zjarreve kanë qenë rrufetë e shumta të ditëve të fundit, teksa ato po ushqehen nga erërat e forta dhe moti i nxehtë i këtyre ditëve.

Zjarret masive të përhapura në gjithë territorin e shtetit federal u kujtojnë banorëve zjarret e të njejtës periudhë të dy viteve më parë që i morën jetën mbi 100 personave, në atë që u konsiderua si situata më e rëndë në historinë e këtij vendi.

Tv Klan