Policia italiane arrestoi 3 shqiptarë dhe 1 italian, të cilët trafikonin mbi 2.4 ton drogë. Droga u sekuestrua pranë Ravenës dhe sipas mediave italiane, bëhet fjalë për sasinë më të madhe të sekuestruar ndonjëherë në këtë zonë. Të arrestuarit janë të moshave 21, 27 dhe 53 vjeç. Ata u ndaluan në një autostradë, teksa e transportonin lëndën narkotike me furgon drejt Ravenës. Policia sekuestroi 2.4 ton marjuanë, 62 kg hashash e 4 kg vaj hashashi.

Furgoni drejtohej nga italiani dhe një nga shqiptarët e arrestuar. Ndërsa dy të tjerët e shoqëronin me një veturë. Dyshimet, policisë i lindën, pasi furgoni fillimisht nuk iu përgjigj urdhërit për të ndaluar. Por policia arriti ta ndalonte pas një ndjekjeje të shkurtër. Shqiptari arriti të arratisej, por u zbulua më vonë, jo shumë larg autostradës sëbashku me 2 shqiptarët e tjerë. Atyre iu sekuestrua edhe një armë pistoletë.

Operacioni u zhvillua natën mes të enjtes dhe të premtes, por policia e mbajti sekret për arsye hetimore.

Tv Klan