Ngjiten në skenë yjet e muzikës shqiptare dhe të huaj

Skena e emocioneve, e tingujve magjikë dhe performancave unike ishte edhe kjo e diel e festivalit “Kënga Magjike”.

Pas triumfit në spektaklin e njohur “Amicci” dhe festivalin me famë ndërkombëtare “Sanremo”, ku është vlerësuar me çmimin e parë, kantautori i mirënjohur Italian, Marco Carta, ngjitet në skenën e “Kënga Magjike”.

“Jam shumë i lumtur që jam në Shqipëri për këtë eksperiencë të mrekullueshme, siç është Kënga Magjike. Gjithashtu kam mësuar disa fjalë në Shqipëri, të tipit ‘një puthje’ dhe sigurisht ‘faleminderit’. Kjo këngë është për dashurinë, por flet edhe për melankolinë”, tha këngëtari Carta.

I njohur për performancat e tij avangarde ndër vite, artisti Ardit Çuni surprizon edhe në këtë edicion të festivalit, me këngën “E Dije”.

“Gjithmonë kënaqësi të ndjesh emocionin e publikut dhe emocionin e Këngës Magjike. Është një këngë shumë personale, ku njerëz janë të martuar dhe dashuruar në një lidhje dhe ndërkohë kanë diçka jashtë”, tha Çuni.

Me rikthimin e tij pas 7 vitesh në festival, Sardi prezantoi këngën e tij “Do shihna prap”, përmes një performance mjaft të veçantë.

“Mendoja që do i kisha më të vogla emocionet, por mesa duket është e vërtetë ajo që sa më shumë kalon koha, aq më shumë rriten edhe emocionet, edhe përgjegjësia ndaj publikut”, shprehet Sardi.

Një pjesë po aq e rëndësishme e festivalit është edhe kategoria e Artistëve të Rinj.

Nën ethet e votave të jurisë, ata shpresojnë që t’ia dalin në skenën magjike.

“Është një mundësi shumë e mirë, për të hedhur këngën time të parë”, thotë artistja Alina Jani.

“Për të përjetuar magjinë që vetëm Kënga Magjike jep. Dua që ta shijoj sa më shumë”, shprehet Ergita Bahja.

“Është trampolina më e mirë për çdo artist për të shkuar afër publikut, për të treguar më shumë nga vetja”, thotë Rei Bezhani.

“Nuk ka nevojë me thënë pse e zgjodhe, të gjithë e dinë. Bëhet bukur në magjinë që ka Kënga Magjike”, shton Jehona Shaqiri.

4 këngëtarë të rinj u kualifikuan në fazën e parë. E ndërkohë që vijon jehona e artistëve që tashmë kanë kënduar në skenën e festivalit, të tjerë emra kombëtarë e ndërkombëtarë, artistë të njohur e të rinj, presin të ngjiten në këtë skenë të madhe muzikore.

Tv Klan